Vepra më e rëndësishme e De Radaës është Skënderbeu i pafan, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë.
Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve.
Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe.
Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafan është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në Këngët e Milosaos, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.
De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare ; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh ; tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin "Mësues i Popullit"