Content

Lënda e studimit, ndarja dhe rëndësia e Gjeografisë

Emërtimi gjeografi është shumë i lashtë dhe është përdorur qysh para 22 shekujve. Këtë emërtim për herë të parë e përmendi dijetari grek Eratosteni (278 - 196 para Krishtit).

Vetë fjala gjeografi rrjedh prej dy fjalëve greke: GEO që d.m.th. tokë dhe GRAPHIA (grafia) që d.m.th. përshkrim. Studiuesi dhe shkrimtari i madh shqiptar Sami Frashëri shkroi tekstin e parë mësimor të gjeografisë me emërtimin DHESHKRONJË, më 1888.

Gjeografia si shkencë merret me studimin e natyrës së sipërfaqes tokësore dhe veprimit të njeriut në të. Pra, kjo hulumton marrëdhëniet në mes të natyrës dhe shoqërisë në hapësirë dhe kohë të caktuar. Degët kryesore të gjeografisë janë: gjeografia fizike dhe gjeografia ekonomike (shoqërore), të cilat janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën si vetë natyra me shoqërinë njerëzore.

Gjeografia fizike studion natyrën e sipërfaqes së tokës: format e relievit, klimën, ujërat, llojet e trollit, botën bimore dhe shtazore.

Gjeografia shoqërore studion popullsinë, vendbanimet dhe ekonominë. Interesimi i njeriut për njohjen e objekteve dhe dukurive, ku jetonte dhe vepronte ky, është aq i lashtë sa edhe vetë njerëzimi. Prandaj, edhe gjeografia merret si një ndër shkencat më të vjetra.

Njeriu duke përjetuar dhe vërejtur dukuritë e ndryshme në natyrë si lëvizjet e trupave qiellorë, ndërrimin e ditës e natës, ndryshimet e stinëve të vitit, dridhjet e ndryshme të tokës, erupsionet vullkanike, ngritjen e valëve shkatërruese në dete e në lumenj, shtërngata të fugishme etj., bënte pyetje çfarë është kjo forcë e padukshme dhe e gjithëfuqishme që i shkakton këto.

Dijetarët e lashtë dhe ata të mëvonshëm bënë përpjekje për t'i shpjeguar këto dhe shumë dukuri e procese të tjera në Tokë e në gjithësi. Mirëpo, duhet cekur se deri vonë këto më tepër u përshkruan, prandaj edhe gjeografia ishte shkencë përshkruese. Shpjegimet dhe studimet e proceseve dhe të dukurive në Tokë, në Diell dhe në gjithësi, të trajtuara njëkohësisht në kushtëzim dhe vartësi të ndërsjellë të energjisë dhe materies kryesisht janë të kohës së re.

Duhet ditur se dukuritë dhe proceset e ndryshme në Tokë, në Diell dhe në gjithësi nuk mund t'i shpjegojë pavarësisht gjeografia si shkencë. Për këtë qëllim, kjo shërbehet edhe me rezultate të shkencave të tjera të afërta natyrore, siç janë: gjeologjia, gjeofizika, biologjia, astronomia, meteorologjia, fizika, kimia, etj.

Mirëpo, meqenëse gjeografia studion edhe shoqërinë njerëzore dhe veprimtaritë e saj (veprimtaritë ekonomike dhe joekonomike), pastaj format e ndryshme të organizimit të shoqërisë njerëzore (p.sh. shtetet etj.) kjo shërbehet edhe me rezultatet e shkencave shoqërore siç janë historia, ekonomia, sociologjia, etj.




Behind The Web

Something