Gjithësia (kozmosi) paraqet hapësirën e pakufi rreth nesh. Në këtë hapsirë të pakufi gjenden yjet, mjegullnajat dhe bashkësitë e tyre që quhen galaktika.
Yjet dhe bashkësitë e tyre janë të panumërueshme dhe akoma për njeriun të panjohura plotësisht. Llogaritet se njeriu me sy të lirë mund të vërejë 3.000 - 6.000 yje, kurse më ndihmën e teleskopit disa miliona.
Dielli është yll, i cili gjendet në bashkësinë e yjeve të njohur si: Kashta e Kumtrit në të cilën gjenden afro 150 miliardë yje. Largësia ndërmjet yjeve është aq e madhe, sa nuk mund të shprehet me metër si njësi për matjen e gjatësisë në Tokë. Për matjen e distancës ndërmjet yjeve përdoret njësia e quajtur vite-drite.
Një vit-drite i përgjigjet gjatësisë së rrugës, të cilën e kalojnë rrezet e dritës për një vit, duke lëvizur me shpejtësi 300.000 km në sekondë (përafërsisht 9 bilionë km). Dielli gjendet larg qendrës së Kashtës së Kumtrit 30.000 vit-drite. Distancën në mes të Diellit dhe Tokës rrezet e dritës e kalojnë për 8 minuta e 18 sekonda, kurse në mes të Hënës e Tokës rrezet do të kalonin për vetëm 1,27 sekonda.
Yjet në gjithësi paraqiten në grupe yllësi. Yllësitë shikuar prej Toke u përngjajnë objekteve, gjallesave dhe personave, prandaj edhe ashtu janë pagëzuar: Ariu i Madh, Ariu i Vogël, Luani, Demi, Gaforrja, etj. Shkenca vazhdimisht zbulon yllësi të reja. Janë të njohura 89 yllësi, prej të cilave 32 në Polin e Veriut, 49 në Polin e Jugut dhe 9 rreth ekuatorit.
Sfera qiellore është sfera e dukshme mbi ne, e cila në vijën e horizontit "puthet" me Tokën.
Kjo pamje vizuele paraqitet për shkak të tejdukshmërisë së mbështjellësit të gaztë të Tokës. Ditën është e kaltër, kurse natën e errët. Trupat që vërehen në të, quhen trupat qiellorë.
Trupat e gjithësisë sipas vetive fizike (dritës, nxehtësisë, përbërjes, etj.), madhësisë, mënyrës së lëvizjes etj. ndahen në: yje, planetë, satelitë, kometa, asteroide dhe meteorë.
Yjet janë trupa qiellorë, të cilët kanë dritën dhe nxehtësinë e vet. Ylli më i afërt është Dielli. Në krahasim me Diellin ka yje disa miliarda herë më të mëdhenj, por edhe të tillë që janë më të vegjël se Toka. Zakonisht yjet e mëdhenj e kanë masën më pak të dendur se yjet e vegjël. Temperatura e yjeve është e ndryshme. Yjet me temperaturë të ulët ndriçojnë me ngjyrë të kuqe, yjet me temperaturë të mesme ndriçojnë me ngjyrë të gjelbërt në të verdhë, kurse yjet me temperaturë të lartë ndriçojnë me ngjyrë të bardhë dhe te kaltër.
Dielli ka temperaturë në sipërfaqe prej afro 6.000 C (ose Kelvin) dhe bën pjesë në grupin e yjeve me temperaturë të mesme.
Planetët janë trupa qiellorë të errët dhe të ftohtë. Rreth Diellit lëvizin nëntë planetë. Duke filluar nga Dielli planetët janë të renditur në këtë mënyrë: Merkuri, Afërdita, Toka, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni dhe Plutoni.
Me 4 korrik 1997, në Ditën e Pavarsisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni shkencor i NASA-së u kurorëzua me aterimin e fluturakës "PATHFINDER" në Mars - Planeti i kuq. Analizat e para gjeologjike tregojnë se Marsi ka një përebërje të ngjashme me tokën.
Planetët për nga madhësia, dendësia e materies, numri i satelitëve etj. ndahen në planetë të brendshëm (Merkuri, Afërdita, Toka, Marsi) dhe planetë të jashtëm (Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni, Plutoni). Planetët lëvizin rreth Diellit me kah të njëjtë (me kahun e kundërtendaj akrepave të orës).
Satelitët janë trupa qiellorë të ftohtë, të cilët bëjnë lëvizje rrethore, përkatësisht eliptike rreth planetëve të tyre. Deri më tani, përveç Merkurit dhe Afërditës, janë zbuluar satelitë rreth të gjithë planetëve të tjerë. Sipas njohurive të tanishme Toka ka një satelit Hëna, Marsi - 2, Jupiteri - 16, Satumi - 17, Urani - 5, Neptuni - 2, dhe Plutoni - 1 satelit, pra gjithsej 44 satelitë në sistemin diellor. Vërehet se planetët më të mëdhenj kanë më shumë satelitë-përcjellës.
Sateliti i Tokës - Hëna është pas Tokës trupi më i njohur qiellor. Hëna është i vetmi trup qiellor në të cilin shkeli këmba e njeriut. Fluturakja e parë automatike, e cila arriti në Hënë (03.02.1966) ishte anija kozmike sovjetike "LLUNA-9".
Më 20.06.1969 anija kozmike amerikane "APOLLO-11" u lëshua në Hënë dhe kozmonautët Nill Armstrong dhe Elldvin Olldrin shkelën të parët në sipërfaqen e saj. Pas tyre astronautët qëndruan edhe disa herë në Hënë dhe nga ajo sollën në Tokë material të shumtë, i cili u ndihmoi shkencëtarëve për studime të ndryshme të përbërjes së këtij përcjellësi të planetit tonë. Pse Hëna na duket më e madhe se Dielli? Pse Hëna natën ndriçon më tepër se ditën?.
Në Hënë nuk ka ajër (atmosfer), ujë (hidrosferë), prandaj nuk ka as jetë (biosferë). Hëna bën lëvizje të trefishta: rreth boshtit të vet (të menduar), rreth Tokës dhe së bashku me të rreth Diellit. Gjatë lëvizjes rreth Tokës, Hëna mund të vijë në aso pozite që të shkaktohet zënie e Diellit ose Hënës.
Përveç satelitëve natyrorë rreth tokës lëvizin me qindra satelitë artificial të dërguar nga Toka për qëllime të hulumtimeve të gjithësisë, parashikimin e motit dhe kushtet e tjera në atmosferë, përcjelljen e emisioneve në radio-televizion dhe qëllime të tjera të shumta shkencore dhe ushtarake. Me lansimin e satelitit të parë artificial (1957) fillon era kosmike e kërkimeve të gjithësisë.
Kometat janë trupa të errët të gjithësisë, në formë të zgjatur, në të cilën dallohen: a) koka si bërthamë e trupit me ndriçim më të madh, b) mbështjellësi mjegullor rreth bërthamës (koma) dhe c) bishti në formë të zgjatur. Kometat përbëhen nga materia shkëmbore dhe metalike, origjina e të cilave, akoma nuk është shpjeguar plotësisht. Bishti i kometës që arrin ndonjëherë edhe qindra kilometra, supozohet se krijohet prej avullimit të bërthamës.
Kometat kanë rrugë të caktuar dhe zakonisht paraqiten në kohë të caktuar. Për syrin e njeriut në mënyrë të lirë ose me ndihmën e teleskopit, kometat janë të dukshme kur hyjnë në sferën e Diellit. Kometa e Haleut mund të vërehet për çdo 76 vjet. Kështu, për herë të fundit është vërejtur më 1986 dhe do të paraqitet më 2062.
Meteorët janë trupa të madhësisë së ndryshme. Më së shpeshti janë masa pluhuri me origjinë kozmike. Përpara është menduar se paraqesin mbeturina të trupave qiellorë të shkatërruar. Tani supozohet se paraqesin materien e planetëve të paformuar, të mbetur pas formimit të Tokës.
Meteorët që përshkojnë mbështjellësin e gaztë - atmosferën dhe bien në Tokë quhen meteoritë. Për nga përbërja dallohen: meteoritët shkëmborë, hekurorë dhe hekurorë-shkëmborë. Llogaritet se brenda një dite në Tokë bien mijëra kilogramë materie meteorike. Pjesa më e madhe e materieve bien në oqeanin botëror, kurse një pjesë e tyre që bien në Tokë fare nuk vërehet. Por, disa prej tyre shkaktojnë dridhje lokale dhe thellime në sipërfaqe - kratere. Me studimin e materies së meteoritëve janë zgjeruar njohuritë për përbërjen e sistemit diellor.